Quhet “Ecja në Baltë” dhe është etapa më e vështirë e programit stërvitor 32-javor që duhet të kalojnë kandidatët për t’u bërë komando të Marinës Mbretërore britanike.
Nga fotot e mëpsohtme nuk është e vështirë të kuptohet pse është pjesa më e mundimshme, e të cilës i tremben edhe rekrutët më të zotë.
Të dërrmuat, të demoralizuar e të ndotur me llucë nga koka te këmbët, këta kandidatë shpresojnë që një ditë të veshin të shumëdëshiruarën Beretë të Gjelbër, e cila i dallon ata si trupat elitë të ushtrisë britanike.
Në fotot e bëra ditën e mërkurë e të publikuara në tabloidin “Daily Mail”, si dhe në videon e mëposhtme shihet se si trupat duhet të jenë të përgatitur fizikisht dhe mendërisht për t’i bërë ballë provës torturuese.
Kapiteni Ben Shapel, i cili mbikëqyr stërvitjen fizike në Qendrën e Trajnimit të Komandove të Marinës Mbretërore në Limpston, Devon, shpjegon: “Ecja në Baltë ka për qëllim t’u rrënjosë marinsave qëndrueshmërinë mendore. Rekrutët kalojnë mbi 45 minuta në baltën që është aq e trashë saqë ata mezi lëvizin, duke bërë njëkohësisht edhe ushtrime. Është shumë e vështirë t’ia dalësh mbanë, por vërtet forcon shpirtin e skuadrës. Ne nuk kërkojmë vetëm forcë fizike, por edhe qëndrueshmëri mendore. Kohezioni që krijohet mes kandidatëve që ia dalin mbanë së bashku provës së mundimshme, formon pjesë së ADN-së së marinsave. Rekrutët jo domosdoshmërisht e dinë kur do ta kalojnë këtë test. Është krejt e papritur”.
Rrobat e vjetra ofrojnë pak mbrojtje nga lluca ngjitëse, ndërsa eprorët vazhdimisht u bërtasin rekrutëve të vrapojnë e të zvarriten me krahë e me gjunjë përgjatë moçalishtes së mbetur nga tërheqja e ujit në grykëderdhjen e lumit Exe, në afërsi të bazës stërvitore.
Kjo është e vetmja bazë ushtarake bash pranë grykëderdhjes së një lumi në Angli, dhe oficerët e shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi.
Në fakt, kjo provë nuk është e përhershme. Ajo bëhet sa herë që oficerët e shohin të nevojshme, përgjithësisht në fazën e fundit të kursit stërvitor para se rekrutët e rinj të shpërblehen me Beretën e Gjelbër. Ndonjëherë “Ecja në Baltë” zhvillohet më herët, ndërsa ka raste që bëhet më shumë se një herë./Start/