Nerde hareket orda bereket (Aty ku ka lëvizje aty ka bereqet)
Shoqata Besader, (nga fjalët: Besa-Besë dhe Der-Derneg, d.m.th. Shoqatë), është një shoqatë turke për ndihmë dhe solidaritet të myslimanëve të Ballkanit.  Besaderi edhe këtë vit, prej datës 07-10 mars, ka organizuar Kampingun e 6-të, tradicional të studentëve Ballkanas. Këtë vit ky kamping është mbajtur në hotelin Asya Termal- Kizilxhahamam të Ankarasë. Aty morën pjesë rreth 500 nxënës dhe studentë nga Ballkani. Pos këtyre kanë marrë pjesë edhe 100 miq, përfaqësues të O.J.Q-ve dhe intelektual të ndryshëm nga Ballkani dhe nikoqir nga Turqia. Në fjalën përshëndetëse folën përfaqësues nga: Turqia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Sanxhaku, Bosnja, Mali i Zi, Serbia (nga Presheva), Rumania, Bullgaria, etj. Vlen të theksohet se momenti më emocional ka qenë, kur në binë kishte hipur qifti Kasumoviq nga organizata “Mladi Muslimani”, (Myslimanët e rinj) dhe duke kënduar himnin e kësaj organizata, i tërë publiku rreth 600 vetë, u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje dhe ovacione përcillnin këndimin, që ky qift simpatik dhe në moshë të shtyrë (në moshën 86 vjeç) këndonin.
Ligjërues kanë qenë:
-Dr. Jeton Shasivari Zv. Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë,
tema: Myslimanët e Ballkanit dhe shkeljet e të Drejtave të tyre në Ballkan;
-Edin Tule, Psikolog nga Bosnja, tema: Teknikat e të menduarit;
-Sabaudin Jashari, Teolog nga Shqipëria, Përgjegjës i Departamentit të Studentëve-Shoqata Ardhmëria, tema: Njeriu dhe Misioni i tij mbi Tokë, dhe
-Prof. Dr. Saffet Tyzgen, nga Turqia, Mjek-Rektor në Universitetin Pezmi-Alem në Stamboll, tema: Zgjedhja e bashkëshortit-es dhe Familja e Lumtur. Pos konferencave të lartcekura, në mbrëmje mbaheshin edhe Workshope-punëtori, ku ligjëronin intelektual dhe hoxhallarë të Ballkanit me tema të ndryshme, në mesin e të cilëve u dalluan: Dr. Milazim Krasniqi, Mr. Ferid Piku, Hasan Baftijari, Fuad Ramiqi, etj. Të gjithë ligjëruesit ishin në nivel shumë të lartë, dhe lexuesit e këtij shkrimi i njohin, por për ligjëruesin nga Bosnja, Edin Tule të cilin lexuesit nuk e njohin iu kisha rekomanduar që ta përcjellin në adresa të internetit, sepse kishte një metodologji shumë specifike dhe bashkëkohore të interpretimit të ajeteve Kur’anore, të cilat i citonte edhe në gjuhën arabe dhe atë turke.
Për ne mysafirët nga Ballkani, ishte një mundësi shumë e mirë, që ta ndjejmë një afërsi dhe ngrohtësi të madhe nga nikoqirët. Në veçanti sot, kur trendët negative të Globalizmit, synojnë vazhdimisht ndarje si të territoreve, popujve, familjeve, bashkëshortë, etj, në këtë tubim, vërehej klimë shumë pozitive integruese, e bashkëpunimit, rivendosje të lidhjeve të vjetra, që para vendosjeve të barrikadave të quajtura kufij artificial, këto lidhje kanë qenë normale. Unë si Mitrovicas, me ndarjen e qytetit tim jam goditur në kuptimin më të ngushtë, por gjithashtu jemi të goditur me ndërprerjen e lidhjeve me Sanxhakun, Bosnja në anën tjetër është viktimë e ndarjes, në anën tjetër kur flitet për Shkupin shumë shpesh përdoren fjalët si: ana e djathte e qytetit dhe ana e majtë ose ana më e zhvilluar dhe ajo që nuk zhvillohet më. Një ndarje e tillë, rrezikon të bëhet me përmasa më të mëdha në Siri, etj. Në planet djallëzore të atyre që na kanë ndarë gjenden edhe vendet tjera arabe, si dhe Egjipti e Turqia. Mos të dhashtë Allahu xh. sh. një gjë të tillë, I cili vetëm Ai iu prish planet dhe kurthet e tyre.  Lufta në mes të mirës dhe të keqes ka ekzistuar që nga fillimi i jetës në tokë dhe do të vazhdoj gjer në fund. Ligji i aksionit dhe reaksionit do të funksionon gjithnjë, p.sh. Franca nuk do ta kishte sot industrinë e parfumerisë ndoshta më të fortën në botë, sikur vetëm 2-3 shekuj më herët në mungesë të pastërtisë dhe kanalizimit nga kundërmimi që ndihej, u detyrua që ta zhvillon pikërisht këtë industri! Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është (pa marrë parasysh se ka një shtet jofunksional dhe me shumë probleme), po të mos ishte dhuna dhe gjenocidi i Millosheviqit. Pejgamberi a.s. ka thënë se Allahu xh. sh. këtë fe do ta forcoj me zullumqarë.
basader
Prandaj në një konstelacion të tillë, ky kamping për pjesëmarrësit nga Ballkani e sidomos për ne Kosovarët, nga një shtet jofunksional, me një klimë pesimiste, me tendenca (dhe lajme të përditshme ndarje-jo ndarje) të ndarjes, dhe me probleme të shumta që ka Kosova, në këtë kamping e ndienim veten shumë më të relaksuar, shumë më optimist, në një vend i cili është aleati më i madh natyror i yni, si dhe fuqia e vetme integruese e myslimanëve të Ballkanit. Prandaj, sikur simboli kinez i quajtur Jing-jang, i cili ndahet në ngjyrë të bardhë me pika të zeza dhe ngjyrë të zezë me pika të bardha, ne i pamë jo vetëm disa pika të bardha por ato ishin shkëndija, që reflektonin tendenca shumë pozitive integruese. Gjatë ligjëratës së tij, hoxha i nderuar Sabaudin Jashari, potencoi se ne myslimanët në asnjë mënyrë nuk duhet të ndihemi pesimist sepse me ne është Allahu xh. sh. I cili nuk ka fund  dhe se mundësitë për  zgjidhje janë të pafund. Ne jemi ata që kemi mundësinë dhe duhet shfrytëzuar. Ai duke folur për optimizëm, përmendi rastin e Imam Gazaliut, i cili në kohën kur kishte  shkruar veprën e njohur Ihja’i Ulumiddin , ndodheshin kryqëzatat, dhe ai në këtë vepër me asnjë fjalë nuk i ka përmendur kryqëzatat, sepse nuk kishte kohë për pezëm dhe pesimizëm, por vetëm për optimizëm dhe punë. Gjithashtu edhe Dr. Milazim Krasniqi, vuri në pah se njeriu nuk duhet të mbyllet në vete, por ai gjithnjë duhet të zgjedh problemet me agjencat e jashtme dhe gjithnjë në mënyrë aktive të kërkon rrugë dhe zgjedhje. Këtu do ta citoja një thënie të Napoleonit: Fjala “e pamundur”, gjendet vetëm në fjalorin e të marrëve.
basader1
Pastaj edhe prezenca e një numri të konsiderueshëm të nxënësve dhe studentëve, të cilët shkollohen në Turqi, paraqet një gjë shumë pozitive dhe një potencial në të cilin duhet llogaritur shumë. Historikisht dihet se gjatë kohës së Perandorisë Islame, Shqiptarët kanë qenë bartës të shumë pozitave ushtarake, kulturore, shkencore e politike, ku dalloheshin:Mimar (Arkitekt) Sinani, Mehmet  Akif Ersoj, Hoxha Tahsini, enciklopedisti  i madh  Sami Frashëri, Hasan Masurica, e shumë e shumë të tjerë, si dhe një numër mjaft i madh i valinjve, pashallarëve, e madje edhe i 34 Sadriazemëve. Prandaj si një ish sportist, kisha me i porositur të gjithë ata, se lojtarët e mëdhenj luajnë në ekipe të mëdha. Ata tanimë janë në një ekip shumë të madh, por duhet ta kultivojnë ambicien e madhe dhe të punojnë shumë. Në fjalën e tij mr. Ferid Piku, i porositi ata se jeta ka shumë stacione gjer në stacionin e fundit, prandaj shfrytëzojeni këtë stacion në të cilin ndoshta nuk do të ktheheni më. Duke i inkurajuar hoxha i nderuar ju tha: “Ejani në vendet e juaja që mos ta shani errësirën por merreni me vete nga një kandil”.
Shpresojmë që me të vërtetë, këta studentë të punojnë shumë dhe të kontribuojnë që myslimanëve t’iu kthehet nami që dikur e kishin, që siç theksoi dr. Jeton Shasivari: Myslimanët nuk kanë qenë vetëm konsumues
të produkteve por edhe themelues të     civilizimeve. Allahu xh.sh. na tërheq vërejtjen se namin dhe krenarinë e humbur, myslimanët mund ta kthejnë vetëm nëse i kthehen Kur’anit: “ A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria juaj?” (El Enbija-10).
Sulltan Abdulhamidin e II-të, gjatë një vizite që i kishte bërë disa vendeve Evropiane, së bashku me Fuad Pashën, e kishte pyetur një diplomat i huaj, se cili është shteti më i fuqishëm në botë? Fuad Pasha nxiton në përgjigje dhe i përgjigjet: Turqia. Kur Diplomati e pyet pse, ai përgjigjet: E gjithë bota mundohet ta shkatërroi nga jashtë, gjithashtu edhe përbrenda Perandorisë ka shumë armiq që dëshirojnë ta shkatërrojnë, por nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse e tërheqim një paralele në mes të Perandorisë atëherë dhe Turqisë tash, mund të thuhet se atëherë fuqia e Perandorisë ka qenë në rënie e sipër, kurse tash është në ngritje e sipër. Mirëpo, për mos të qenë iluzionistë duhet të bëhemi real, dhe të shpresojmë që Turqisë t’i kthehet fama dhe fuqia, dhe mos të dhashtë Zoti që ndër prijësit e saj mos të infiltrohen njerëz-udhëheqës që Turqinë ta drejtojnë në drejtimin e kundërt!
Në fund, në emrin tim personal dhe të gjithë pjesëmarrësve tjerë nga Kosova, nga zemra i falënderoj të gjithë ata që u kujdesën që ky kamping të përfundoj në mënyrën më të mirë, falënderoj udhëheqësit e Besaderit, në krye me kryetarin Junus Torpil, nënkryetarin Hysein Tyzgen dhe sekretarin Sami Çaushi, të cilët na nderuan me ftesën dhe mikpritjen që na bënë. Turqit e kanë zakon të thonë: Nerde hareket orda bereket (ku ka lëvizje aty ka bereqet). Allahu i shpërbleftë dhe iu mundësoftë që puna e tyre të ketë sa më shumë bereqet.