Testimi ekstern në vend që të ketë efekte pozitive ndaj procesit arsimor, duke rritur cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies, është shndërruar në proces shumë stresues për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Ka shtuar edhe frikën tek mësimdhënësit nga dënimet e mundshme.
Korrigjohen mbi 3 mijë gabime
Ekspertët e arsimit dhe organizatat joqeveritare të arsimtarëve në Maqedoni, vlerësojnë se testimi ekstern ka shumë mangësi.
Etem Xheladini: Testimi ekstern nuk duhet të ndikojë ndaj suksesit të nxënësve dhe vlerësimit të mësimdhënësve
Etem Xheladini, përfaqësues i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) deklaroi për Inbox7 se testimi ekstern është absurd, duke pasur parasysh faktin se nxënësit vlerësohen në vazhdimësi gjatë tërë vitit.
Testimi ekstern nuk duhet të ndikojë ndaj suksesit të nxënësve dhe vlerësimit të mësimdhënësve, meqë bëhet fjalë për testim njëditor që nuk reflekton njohuritë e nxënësit dhe angazhimin e mësimdhënësve”.
”Në vend që të shpenzohen, kaq shumë fonde për realizimin e këtij projekti, të njëjtat mund të përdoren për përmirësimin e kushteve në shkolla”, thotë Xheladini.
Profesori i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore nëTetovë(UEJL),Hasan Jashari për Inbox7 pohon se në një vend të varfër siç është Maqedonia, së pari duhej të rriteshin pagat e arsimtarëve, e pastaj të kërkohej të rritet përgjegjësia dhe performanca e tyre.
“Evaluimi i jashtëm i dijes së nxënësve rrit transparencën dhe cilësinë e dijeve të nxënësve dhe punën, por edhe përgjegjësinë e arsimtarëve”, tha ai.
“ Analizat e të arriturave dhe dijeve në testimin ekstern tregojnë se ku kemi qenë dhe ku jemi dhe ku duam të arrijmë me suksesin e nxënësve”, tha Jashari, i cili nga viti 1992 deri në vitin 1998, ka qenë zëvëndësministër i Arsimit të Maqedonisë.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), institucion përgjegjës, për realizimin e testimit ekstern, njoftoi se ka bërë gjithçka që është e nevojshme që ky proces të kalojë pa probleme në arsimin fillor, në gjimnaze, drejtimet artistike dhe lëndët e përgjithshme arsimore në arsimin të mesëm teknik.
Vesna Horvatiq: Të gjitha pyetjet janë përgatitur në pajtim me programet mësimore, standardet dhe kriteret për vlerësim
Të gjitha pyetjet janë përgatitur në pajtim me programet mësimore, standardet dhe kriteret për vlerësim. Propozim-pyetjet dorëzohen tek Qendra Shtetërore e Testimeve (QSHT), ku i nënshtrohen verifikimit nga ana e kontrollorëve, të cilët janë profesorë të arsimit sipëror dhe në formë të këtillë të lejuar, publikohen në opinionin publik”.
“Pastaj kalojnë përmes filtrit të tretë, të cilin e përbëjnë të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në proces (mësimdhënësit, nxënësit, opinioni publik profesional). Pas kësaj faze bëhet korrigjimi përfundimtar i pyetjeve dhe në fund publikohen në formën finale”, tha për Inbox7, drejtorja e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA)Vesna Horvatoviq.
Shumë pyetje nuk kuptohen nga arsimtarët
Megjithë deklarimet publike të Byrosë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), se janë korrigjuar rreth3461 pyetje, mësimdhënësit kanë shumë vërejtje sa i përket nivelit të përkthimit të pyetjeve në gjuhën shqipe, probleme të cilat në masë të madhe kanë qenë të pranishme edhe gjatë vitit të kaluar.
Etem Xheladini thotë se ka disa pyetje që janë shumë të pakuptimta saqë edhe mësimdhënsit nuk i kupëtojnë.
“Ka shumë gabime në pyetjet e testimeve, edhe pse janë korrigjuar mbi 3 mijë pyetje, por kjo është një përqindje shumë e vogël e pyetjeve”,spjegoi Xheladini.
Drejtorja e BZHA-sëVesna Horvatoviq shpreh keqardhje për gabimet e shumta gjuhësore, të cilat janë vërejtur në testet e lëndëve të ndryshme.
Janë përkthyer rreth 100 mijë pyetje në gjuhën shqipe, turke dhe serbe. Në procesin e përkthimit janë përfshirë vetëm përkthyes dhe lektorë, që kanë marrë diploma për arsimin e përfunduar përkatës, të cilat janë dhënë nga fakultetet përkatëse”.
“ Mua më të vërtetë më vjen keq, që ndonjëherë në përkthime evidentohen mangësi, të cilat ne si institucione tentojmë t’i tejkalojmë”, theksoi Horvatoviq.
Ndërsa lidhur me problemet gjuhësore, profesori Hasan Jashari thotë se përkthimi i dobët i pyetjeve e bën më të vështirë testimin ekstern.
Kjo po ndodh vazhdimisht. Nuk guxon të ketë gabime në përkthim. Kjo flet shumë për atë se me arsimin në gjuhën shqipe, në dekadën e fundit, nuk e udhëheq askush”, theksoi Jashari.
Vërejtjet më të mëdha nga nxënësit dhe mësimdhënësit, janë dhënë sa i përket lëndëve: Gjuhë angleze, Fizikë, Matematikë, Histori, Gjeografi, por edhe për lëndë tjera.
Probleme edhe me gjuhët
Hasan Jashari: përkthimi i dobët i pyetjeve e bën më të vështirë testimin ekstern
Nga ana tjetër, Etem Xheladini nga LASH-i vëren edhe një problem tjetër gjuhësor në testimin ekstern.
Sipas tij, formularët e testimit ekstern në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, janë shpërndarë vetëm në gjuhën maqedonase.
Ndërkohë, segment tjetër i testimit ekstern është shkaktimi i stresit të madh tek nxënësit.
Nxënësit shkojnë në shkollë dhe mësojnë, që të arrijnë dije dhe shkathtësi, e jo vetëm nota. Me testimin ekstern verifikohet objektiviteti i vlerësimit të arsimtarëve.Prandaj arsimtarët duhet të notojnë sipas kritereve për vlerësim. Ligji parashikon tolerancë në nivelin plus ose minus një notë, duke pasur parasysh shumë faktorë tjerë që nuk maten me testim”.
“Si pedagog dhe prind konsideroj se nxënësit, me ndihmën e arsimtarit dhe nxënësve, duhet ta kalojnë këtë proces, ngjashëm sikur të jetë test i dhënë nga arsimtari i tyre”, tha Vesna Horvatoviq, nga BZHA.
Ndërsa profesori Hasan Jashari vlerëson se testimi ekstern jo çdoherë shkakton stres negativ tek nxënësit.
Çdo testim, ka stres, por ai është “pozitiv”.Ai nxit nxënësin të mendojë, të zhvillojë aftësitë”, nënvizoi Jashari.
Testimi ekstern në 680 shkolla fillore dhe të mesme, do të zhvillohet nga data 2 deri më 10 qershor. Në këtë proces janë angazhuar 18 mijë arsimtarë dhe inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA).
189 mijë nxënës, vetëm tre ditë para mbajtjes së testimit, do të njoftohen, se në cilat dy lëndë do të testohen.
Publikimi i rezultateve të testimit do të bëhet në disa faza. Përparësi në testim dhe në vlerësim u jepet nxënësve, që përfundojnë klasën e tetë, për shkak të regjistrimit në shkollat e mesme.
inbox7 - Magazina online