Tifozat Kuq e Zi i kanë bërë edhe njëherë thirrje supertalentit shqiptar, Adnan Januzajt, që të pranojë të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë në futboll.

 
Sot gjatë ditës në faqen e tyre në Facebook, Tifozat Kuq e Zi kanë njoftuar për dhuratën që i kanë dërguar mesfushorit të Manchester United. Në fotografinë që kanë postuar ata, shihet një fanellë e Kombëtares së Shqipërisë së bashku me një letër, të cilat sipas tyre ia kanë dërguar me postë në shtëpi.
“Siç edhe e sheh, fanellën e ke gati! Javën e kaluar kur ti ke hapur postën, mund të ketë rënë në sy një dhuratë mbase e pazakontë. Brenda saj është një fanellë që për ne e ka peshën shumë të madhe, bashkë me të është edhe një album me disa prej fotografive nga fushata “Adnan Januzaj thuaj PO Shqipërisë”. Ke mundësi të shohësh disa prej mijëra fotografive të cilat ju bëjnë thirrje të vishni atë fanellë. Mos e vishni pa i parë të gjitha fotografitë dhe pa e lexuar letrën që të kemi dërguar. Por, kur ta veshësh atë, mos e heq asnjëherë pasi shtatori është shumë afër. Do të na gëzoje shumë!”, shkruan në postimin e Tifozave Kuq e Zi. /Telegrafi/