Forumi Rinor Islam (FRI) realizoi Kuvendin e XIX-të, ku u prezantua dhe u shqyrtua puna njëvjeçare e mandatit aktual. Aktiviteti u hap me lexim nga Kur’ani Famëlartë nga hafiz Ibrahim Sherifi, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Fondacionit Axis, Rufat Sherifi, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të të rinjve në shoqëri.
Në këtë takim u prezantua raporti i aktiviteteve për periudhën shkurt 2025 – shkurt 2026, duke përmbledhur angazhimin e FRI-së në projekte edukative, aktivitete rinore, kulturore dhe iniciativa sociale. Kryetari i FRI-së, Abdulhamid Mustafa, prezantoi një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë ligjërata, projekte rinore, shkolla sezonale, aktivitete gjatë Ramazanit dhe programe zhvillimore për të rinjtë.
Gjithashtu, u prezantua raporti mediatik, ku u evidentua shtrirja dhe ndikimi i aktiviteteve në publik përmes platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.
U prezantua edhe plani akcional për vitin 2026, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve të degëve dhe avancimin e aktiviteteve rinore.
Ky takim shërbeu si një moment reflektimi dhe vlerësimi për punën e deritanishme, duke vendosur bazë për vazhdimin dhe avancimin e mëtejmë të aktiviteteve.
