Në kuadër të kampanjës “Java e jetimit” që po realizon organizata humanitare Kalliri i Mirësisë nga Shkupi, sot në lokalet e komunës së Çairit u realizuar debati shkencorë me temë: “Te drejtat dhe pozita e jetimit ne mes ligjit, fese dhe shoqerise”. Në këtë debat para një numri të madh të pranishmëve prezantimet e tyre i elaboruan Dr. Ardian Muça, këshilltarë shtetërorë në Ministrinë për punë dhe politikë sociale, Dr. Avni Avdiu sociolog, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe Mr.Bashkim Aliu teolog.
Fillimisht fjalën e mori Dr. Ardian Muça që prezantoi dispozitat ligjore dhe beneficionet që i parashohin ligjet për pozitën dhe rolin e jetimit në shoqëri. Ai theks të veçant i vendosi faktit se numri më i madh i familjeve shqiptare aspak nuk janë të interesuar për shfrytëzimin e beneficioneve që ministria dhe rregullativat ligjore të Maqedonisë i parashohin për kategorinë e fëmijëve pa prindër. Ai bëri thirrje për të gjithë familjet dhe sektorin civil që të jenë më aktiv dhe mos t’i lënë privilegjet që ua siguron ligji. Pjesë të veçant gjatë fjalimit të tij ai i kushtoi edhe adoptimit të fëmijëve që u kanë humbur prindërit e janë prej prindërve shqiptarë, kurse adoptohet nga familje maqedonase që faktikisht edhe bëjnë asimilimin e tyre, pasi se asnjë familje shqiptare nuk paraqitet për adoptim të tyre.
Pas tij fjalën e mori edhe dr. Avni Avdiu që bëri një qasje të shkëlqyeshme për aspektin e socializimit dhe integrimit të jetimëve në shoqëri. Ai elaboroi personalitetin e jetimit dhe traumat të cilat i pësojnë kjo kategori e fëmijëve me vet faktin e humbjes së prindërve apo edhe qasje që u bëhet atyre nga shoqëria në përgjithësi. Ai vlerësoi lart punën e OJQ-ve që përkujdesen për këtë shtresë të fëmijëve, që veç ndihmave materijale kontribuojnë edhe në socializimin e tyre dhe përcjelljen e zhvillimit psikosocial.
Panelisti i fundit ishte teologu i mirënjohur Bashkim Aliu i cili foli për jetimët nga këndvështrimi fetar islam, duke treguar argumente të shumta që shtyllat e fesë islame porosin për përkujdesin ndaj jetmit, duke e llogaritur këtë veprimtari si një nga parimet e besimit për muslimanët. Mes tjerash ai tregoi edhe dispozitat dhe rastet se si duhet të jetë sjellja ndaj jetimëve. Sipas dispozitave islame, nuk mjafton vetëm dërgimi i ndihmave për jetimët, por më e mira është që jetimët të merren nën përkujdesje dhe të zhvillohen në ambient normal familjar, sepse kjo jep garancë më të madh për zhvillimin normal të personalitetit të jetimit.
Pas mbarimit të panelistëve, u zhvillua edhe një debat i frytshëm në mes të pranishmëve të cilët patën rastin të shkëmbejnë mendime por edhe t’u drejtohen me pyetje panelistëve.
Aktivitetet në kuadër të kësaj kampanjë vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Ditën e premte nga Kalliri i Mirësisë është paraparë organizimi i një koncerti humanitar ku është paraparë një program i begatshëm kulturorë dhe artistik me artist të njohur nga vendi dhe rajoni, kurse ditën e dielë do të organizohet “Mëngjesi familjar – humanitar” ku do të marrin pjesë jetimët të cilët janë nën përkujdesin e OH Kalliri i Mirësisë, donatorët dhe aktivistët dhe anëtarët e kësaj organizate./albtime