Po mbaron legjislatura dhe unë akoma nuk e di mirë se kush është deputeti që më përfaqëson në Parlament. Distancat janë krijuar kaq shumë, saqë tanimë është e vështirë të kërkosh ndihmë, të paktën morale nga deputeti që ka fuqi për të ndikuar në vendimmarrje. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Kur ndryshoi sistemi zgjedhor nga mazhoritar në proporcional rajonal, pandehëm se më në fund, në Parlament do të mund të çonim deputetë “intelektualë”, ku të paktën të kishin mbaruar shkolla të larta e të merrnin sado pak erë nga “bota”. Nuk ndodhi ashtu dhe sistemi, vetëm sa i dha një “shkelm” mbrapa demokracisë së drejtpërdrejtë shqiptare, që kishte nisur rrugën e saj të mundimshme.
Në atë kohë, pra në vitin 2009, menduam se të “fortët” e zonës që nga trafikantët e drogës e deri tek të akuzuarit për vrasje, nuk do të merrnin më mandate me presione e financime dhe se njerëzit do të binin rehat nga e gjithë kjo histori mediokriteti që tejçohej nga lagjet në Parlament. As mënyra e re me deputetë “intelektualë” nuk na solli atje ku donim të na çonte sistemi zgjedhor. Kjo mënyrë e re, jo vetëm që nuk e uli numrin e deputetëve të sojit “gangster” dhe pa shije estetike, por vetëm sa i modifikoi mënyrat, duke fuqizuar drejtpërdrejt kryetarët e partive politike.
Me të drejtë, Prof. Agron Tufa thoshte në shkrimin e tij, se tanimë “Hierarkët u dhurojnë ‘ndere’ kandidatëve në bazë të besnikërisë (ose shantazhit me ndonjë kleçkë të errët nga e kaluara) dhe shtrijnë partneritetin, aleancën me lavdinë e biznesmenëve të suksesshëm”. Dhe kjo po ndodh sot e kësaj dite, dhe binomi shtrihet vazhdimisht në dy paralele që ngrihen drejt piramidës së dy njerëzve që kanë zgjedhur të imponojnë këtë formë demokracie me nuanca të forta diktatoriale. Populli si gjithnjë do të lihet pas në skenë, ose për të duartrokitur në rastin më të mirë, ose për t’iu thënë “shkoni tek partia tjetër nëse nuk jeni dakord me kandidatin që unë vendos, që unë dua të jetë”.
Në këtë pikë, gara ka përfunduar si çështje dhe e vetmja betejë është numri rendor në listë. Të gjithë e dinë kush do të jetë i fituar dhe kush jo, dhe kjo nuk e bën aspak interesante këtë mesele demokracie shqiptare dhe jo vetëm. A duhet ta rikonfigurojmë edhe një herë demokracinë? Sigurisht, dhe nuk do të ishte e tepërt aspak për asnjë parti që para se do të dilnin listat përfundimtare të zhvillonin kandidime kandidatësh brenda radhëve të tyre, për të nxjerrë më pas atë që është më i preferuari në një zonë të caktuar. Edhe kjo mund t’i ketë problematikat e veta, por demokracia e drejtpërdrejt kjo është, si sistemi më i mirë i mundshëm që mund të ekzistojë, të paktën siç thonë vetë teoricienët e saj.
Ne nuk e kemi ndërmend ta bëjmë këtë gjë, dhe duket shumë larg kur qyteti i vetëdijesuar mbi fatet e tij shoqërore të mund të vendosë me votë sa herë kur i duhet të vendosë mbi vendimet që kanë të bëjnë për të. Në Zvicër ndodh kjo gjë këtu e dekada përpara dhe ata vetëm sa e konfirmojmë më tej demokracinë, jo atë idealen sigurisht! Përveç garës brenda partive, tanimë kandidatët e pavarur nuk kanë më shanse as ta mendojnë se mund të kandidojnë, pasi sistemi i dy partive të mëdha duket se i ka mbyllur mirë të gjitha vrimat e mundshme, ku mund të ketë sadopak frymëmarrje dhe përpjekje për të dalë nga dy segmentet e betonuara të dy liderëve që kontrollojnë gjithçka.
Nëse do të donim që të kishin vërtetë një Parlament dinjitoz, të paktën në emër të demokracisë, partitë duhet të shpërndanin në mënyrë po kaq proporcionale kandidatët e tyre, duke përfshirë të gjitha kategoritë përtej biznesmenëve që kanë gjetur vend për t’u tallur edhe me shtetin. A kemi ne sot në Parlament deputetë që të përfaqësojë romët, invalidët dhe kategori të tjera? Sigurisht që jo, pasi rrethi është ngushtuar kaq shumë, duke pranuar brenda tij vetëm dy kategori, biznesmenët e kamur dhe besnikët e përgjëruar! Kjo nuk është demokratike!