E harruar prej 15 vitesh, tash më Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, një monument kulture i kategorisë së parë, do restaurohet. Ndërtesa shekullore që daton prej vitit 1484, me vlera historike, kulturore, fetare, por edhe arkitektonike, u ka rezistuar viteve aq sa ka mundur. Reshjet e këtij dimri, sollën çarjen e mureve, rënien e suvave dhe dëmtimin e pikturave murale. Janë pikërisht pikturat e Mekës dhe Medinës, të cilat janë vlerësuar si të dëmtuara. Kreu i Myftinisë së Korçës, Haxhi Qazim Muçi, thotë se ndërhyrja për restaurimin e këtij objekti, që është jo vetëm më i rëndësishmi në Shqipëri por edhe në Ballkan, është emergjente, me qëllim që ky monument t’i rezistojë degradimit të mëtejshëm. Mësohet se Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim, TIKA, si partnere kryesore e Ministrisë së Kulturës, do të mundësojë financimin e këtij projekti, zbatimi i të cilit është njoftuar se do të fillojë javën që vjen. Ndërkaq, një grup specialistësh të ndërtimeve osmane kanë mbërritur nga Turqia në Korçë dhe pasi kanë parë nga afër objektin, kanë marrë përsipër restaurimin e saj. Kjo xhami, e cila është edhe më e vjetra në Shqipëri, është ndër monumentet më të vizituara nga turistët vendës dhe të huaj. Restaurimi i Xhamisë së Iljaz Bej Mirahorit është mirëpritur edhe nga vetë besimtarët apo qytetarët korçarë, të cilët prej vitesh i druheshin degradimit të godinës, siç edhe ka ndodhur më herët me shumë objekte të tjera me vlera të rralla historike dhe kulturore në Korçë. Myftiu Haxhi Qazim Muçi, tregon për “Gazeta Shqiptare” vlerat e projektit.
Ndërkohë që pritet nisja e projektit për restaurimin e Xhamisë së Iljaz Bej Mirahorit, çfarë mund të na thoni rreth gjendjes aktuale të saj?
Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit është xhamia më e vjetër në Shqipëri, dhe në fakt ky objekt identifikon edhe krijimin e qytetit të Korçës. Aktualisht, faktori kohë ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë objekt, duke sjellë edhe dëmtime të ndryshme, kryesisht në muret e brendshme të ndërtesës në fjalë. Por jo vetëm kaq. Edhe agjentët atmosferikë kanë çuar në dëmtimin e afreskeve, të cilat, natyrisht do i nënshtrohen rikonstruksionit, i cili pritet të nisë javën që vjen. Shirat e këtij dimri kanë rrëzuar edhe një pjesë të suvasë, por natyrisht që pjesë e këtij rikonstruksioni do jetë edhe dyshemeje, e cila do ofrojë pamjen e një xhamie bashkëkohore.
Prej sa vitesh nuk ka pasur ndërhyrje për një restaurim të brendshëm të kësaj xhamie?
Është lënë në harresë prej 15 vitesh. E kam fjalën për restaurimin e afreskeve apo edhe për sa i përket mirëmbajtjes së mureve të brendshme apo dyshemesë. Ndërsa riparime të jashtme ka pasur dhe më herët, përfshi këtu edhe ringritjen e minares, e cila ishte dëmtuar nga një tërmet i viteve ’60. Kjo ishte mjaft e rëndësishme, por po kaq i rëndësishëm do të jetë edhe restaurimi i pikturave të Mekës dhe Medinës, të cilat janë dëmtuar nga agjentët atmosferikë.
Cilët janë financuesit e këtij projekti?
Do të jetë një shoqatë turke, ajo e cila është partnere me Ministrinë tonë të Kulturës, që ka marrë përsipër financimin e xhamisë së vjetër të Korçës. Nuk di të them se sa do jetë vlera totale e investimit, por di që do jenë ata që do merren me projektin në fjalë. Aktualisht, një grup specialistësh kanë mbërritur në Korçë, kanë parë nga afër ambientet e brendshme të xhamisë, pasi kjo, për vetë stilin osman që ka në lidhje me ndërtimin e saj, e bën shumë të vështirë ndërhyrjen. Por ata e kanë parë, morën përsipër rikonstruksionin e brendshëm të saj dhe për më tepër, kanë bërë gati dhe projektin. Tashmë ne presim që të nisë puna dhe të kthehet sa më parë në identitet kjo vlerë e madhe e Korçës.
Po më herët, keni bërë ndonjë kërkesë për restaurimin e saj?
Sigurisht që po. Unë vetë kam bërë një kërkesë në Stamboll në vitin 1993 dhe prej atij viti kemi qëndruar në pritje të një përgjigjeje pozitive. Në fakt kemi pritur paksa, por rëndësi ka që tashmë kjo vlerë e rrallë historike dhe kulturore do i nënshtrohet rikonstruksionit.
Nëse nuk do ndërhyhej, cili do ishte fati i kësaj xhamie?
Sigurisht që degradimi i saj do vijonte. Pasi siç e thashë dhe më lart, koha bën të veten, por rëndësi ka që ajo do i nënshtrohet rikonstruksionit, në të cilin do përfshihet edhe oborri i saj në fund të projektit, për ta bërë atë një vlerë më atraktive, jo vetëm për Korçën, por edhe për turistët.
Sa e rëndësishme është kjo xhami për Korçën?
Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit është shumë e rëndësishme për qytetarët korçarë, besimtarët myslimanë, por jo vetëm. Është një objekt i rëndësishëm për gjithë shqiptarët, për vetë vlerat historike, fetare, kulturore, por edhe arkitektonike që të ofron. Natyrisht që, kthimi i pamjes që ajo meriton, pra një pamje bashkëkohore, do ishte një vlerë më shumë për komunitetin.
(er.nu/