Pas përfundimit të bisedimeve dyditore në Bruksel, të mbajtura me 19 dhe 20 shkurt 2013, në mes dy kryeministrave, Thaçit dhe Daçiç dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, baroneshës Eshton, janë vu konturat fillestare të zgjidhjes së veriut të Kosovës. Edhe pse akoma nuk janë bërë publike se për çfarë kontura fillestare janë pajtuar në mes vete, për modalitetet e këtyre konturave, ka mbet të bisedohet dhe eventualisht të gjendet zgjidhja në rundën e ardhshme të bisedimeve që do të mbahen me 4 mars 2013 në Bruksel, pas analizave dhe këshillimeve që do të mbajnë delegacionet e Serbisë dhe Kosovës në kryeqendrat e tyre në Beograd dhe Prishtinë.
Në takimin e rundit të katërt, kryeministrat Thaçi dhe Daçiç në asistimin e baroneshës Eshton janë pajtuar për themelimin e
Fondit Zhvillimor për komunat serbe, ku të gjitha mjetet financiare që do të grumbullohen nga akcizat, taksat doganore dhe TVSH-ja(tatimi në vlerën e shtuar) në pikat doganore të Jarinjes dhe Bërnjakut në veri të Kosovës do të deponohen në një llogari rrjedhëse në njërën prej bankave të Kosovës, jashtë buxhetit të Kosovës, i cili do të menaxhohet nga një komision treanëtarësh i përbërë prej një anëtari serb i Kosovës, një anëtar shqiptar i qeverisë së Kosovës dhe një anëtar i Bashkimit Evropian, dhe të gjitha mjetet financiare do të dedikohen zhvillimit dhe financimit të komunave serbe të Kosovë. Ky akt i krijimit të Fondit ishte hapi i parë i autonomisë financiare serbe në Kosovë, dhe i ndarjes së Kosovës në dy njësi financiare, i buxhetit të Kosovës dhe i fondit për komunat serbe. Edhe pse kjo duket në shikim të ngushtë diç normale për financimin e komunave serbe, në shikim të gjërë do të sjell përfitime financiare shumë të favorshme për komunitetin serb në Kosovë. Duke ditur se Kosova brenda vitit financon Serbinë me rreth 500 milion euro ( duke blerë produkte dhe mallra serbe në tregun e Serbisë), i cili import kryhet në pjesën më të madhe në mënyrë legale, e në pjesën më të vogël edhe në mënyrë ilegale, importuesit kosovar brenda vitit për këtë shumë paguajnë rreth 100 milion euro obligime financiare ( akciza, taksa doganore dhe TVSH-në), pas krijimit të këtij Fondi, Serbia tërë eksportin e mallrave të saj në Kosovë do të orientojë kah këto dy vendkalime në veri të Kosovës, ashtu që përveç 500 milionë euro që kosovarët e financojnë Serbinë, tani edhe me 100 milion euro shtesë do të financojnë komunat serbe, ashtu që i bie që çdo serb i Kosovës(e që janë përafërsisht 100.000) të shpërblehet apo financohet me nga 1000 euro në vit nga taksapaguesit kosovar.
“Në bisedimet e zhvilluara me 19 e 20 shkurt, të tri palët janë marrë vesh vetëm për krijimin e bashkësisë së komunave serbe të Kosovës, me ç’rast pala kosovare është treguar zemërgjerë duke pranuar që serbët të formojnë bashkësinë e komunave serbe në Kosovë e cila do të përfshijë jo vetëm katër komunat matanë Ibrit (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi), por edhe 6 komunat tjera serbe në brendi të Kosovës (Graqanica, Novo Bërdoja, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu dhe Shtërpca)-b92”.
Edhe pse dihet që nga viti 1999, në veri të Kosovës, Kosova nuk e ushtron sovranitetin dhe ajo pjesë nuk është nën kontroll të Prishtinës, edhe sot e kësaj dite e udhëheqin strukturat paralele serbe nën kontroll të Beogradit, duke marrë parasysh politikën e faktorëve vendimmarrës botëror, politikë e cila e merr parasysh gjendjen faktike në terren, e që njihet me termin real politika, ka qenë e pritshme që kjo pjesë e veriut të Kosovës do të ketë një qasje tjetër të zgjidhjes, por të pranosh që edhe 6 komunat tjera serbe në brendi të Kosovës, të cilët në njërën apo tjetrën mënyrë janë të përfshira në sistemin politik e juridik të Kosovës, të lejosh të hyjnë në bashkësinë e komunave serbe është vetëvrasje politike shtetërore e delegacionit kosovar në krye me kryeministrin e Kosovës z.Thaçi, e cila do të shpie Kosovën në një rrugë pa fund.” Serbët me mjeshtëri politike e juridike nuk kanë pranuar që ky të quhet asociacion i komunave serbe, por të quhet bashkësi e komunave serbe, pasi që ata nuk ranë në grackë duke ditur se asociacioni i komunave nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv autonom, ndërsa bashkësia e komunave serbe mund të ketë edhe pushtet ekzekutiv autonom. Këtë kërkesë të palës serbe baronesha Eshton e ka pranuar që kjo të quhet bashkësi e komunave serbe e cila do të përfshijë të gjitha komunat serbe në Kosovë, ndërsa për modalitetet se çfarë kompetenca ekzekutive, legjislative, gjyqësore do të ketë kjo bashkësi ka mbet që të rregullohet dhe të zgjidhet në bisedimet e ardhshme që do të mbahen me 4 mars në Bruksel-b92”.
“Pala serbe insiston që kjo bashkësi e komunave serbe të Kosovës të ketë pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor që do të ishte autonom dhe jo nën juridiksion të Prishtinës zyrtare, por sipas Rezolutës 1244 e cila parasheh autonomin e Kosovës si për shqiptarët ashtu edhe për serbët, dhe se Serbia edhe pas kësaj marrëveshjeje nuk do të njeh pavarësinë e Kosovës-b92”.
Gjersa ishin duke u zhvilluar bisedimet në Bruksel nënkryetari i qeverisë serbe Vuçiç ishte duke zhvilluar bisedimet në Berlin të Gjermanisë për të zbutur qëndrimin e Gjermanisë që të mos e bllokojë marrjen e datës në qershor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Edhe pse bisedimet janë duke u zhvilluar në Bruksel, Serbia e di që rolin kryesor apo çelësin për anëtarësim në Bashkimin Evropian e mban Gjermania, pasi që dy shtete tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Franca, nuk do të jenë pengesa për anëtarësim, përveç se Gjermanisë e cila mund të ngadalësojë procesin e anëtarësimit të saj, duke e kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha obligimeve që i ka të parapara për të fituar datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, diplomacia kosovare në vend se të përqendrohet dhe të angazhohet që sa më shumë të jetë aktive dhe prezente në kontakte të drejtpërdrejta me shtetet kyçe të Bashkimit Evropian, e sidomos me Gjermaninë, kryeministri Thaçi me ministrin e vet të punëve të jashtme Enver Hoxhaj ka marrë rrugën për në Korenë e Jugut, për me “kërku ndihmën e saj për lehtësim të bisedimeve për MSA-në me Bashkimin Evropian”. Edhe pse do të ishte e udhës që të përqendrohen në kontakte politike, diplomatike, me Gjermaninë si partner kyç i Bashkimit Evropian, ata janë turr në Azinë e largët, në Korenë e Jugut. Po si të shkojnë në Gjermani, për të kërkuar mbështetje, kur dihet se marrëdhëniet e qeverisë gjermane dhe të kancelares së saj Merkell janë në nivelin më të ultë të zhvillimit dhe bashkëpunimit politik e shtetëror me qeverinë aktuale të Kosovës dhe kryeministrin Thaçi.
Pas kësaj, opinioni publik i Kosovës , duhet të ketë të qartë dhe të dijë se çfarë e pret Kosovën në ardhmen e saj të afërt. Kjo bashkësi e komunave serbe, në rast se nuk do të parandalohet në bisedat e ardhshme që do të zhvillohen me 4 mars në Bruksel, që në asnjë mënyrë të mos i mundësohet palës serbe të ketë pushtet ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor autonom dhe të ndarë nga Prishtina zyrtare, e në rast se lëshon pe dhe i nënshtrohet trusnisë së faktorit politik vendimmarrës botëror atëherë që në vetëm 3 kilometra në dalje të Prishtinë, në hyrje të Graqanicës do të na pret tabela me mbishkrimin: “ mirëserdhët (wellcome) në Republika Serbe e Kosovës (alias Bashkësia e komunave serbe të Kosovës)” e cila de jure do të jetë në Kosovë e de fakto do të jetë Serbia e zgjeruar në brendi të Kosovës gjer në kryeqendrën e saj, Prishtinën. Edhe nëse delegacioni kosovar në bisedime në krye me kryeministrin Thaçi do të nënshtrohet presionit ndërkombëtar për t’u pajtuar me një gjë të tillë, dhe për të arritur një marrëveshje në dëm të Kosovës, i mbetet Kuvendit të Kosovës të thotë fjalën e fundit për pranim apo refuzim të një marrëveshje të tillë të arritur , apo nëse edhe ai nuk do të mund të vendos, atëherë le të transferojë këtë mandat popullit të Kosovës që me referendum të përcaktohet për një marrëveshje të tillë.
E në rast se ky është çmimi që duhet Kosova të paguaj për shtetësinë dhe pavarësinë e fituar të saj, të aranzhuar dhe programuar sipas faktorit politik vendimmarrës botëror, me të vërtet kjo kosto është shumë e lartë dhe e papërballueshëm, edhe për shtete më të avancuara e lere më për Kosovën, dhe se edhe pas kësaj marrëveshjeje të arritur Kosova prap nuk do të njihet nga Serbia, prap nuk do të jetë as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, as anëtare e Bashkimit Evropian, por që Kosovën kjo marrëveshje eventuale e arritur do ta shndërron në një shtet të paqëndrueshëm, të brishtë, të ndarë brenda saj, jofunksional, të bllokuar në vendimmarrje politike, dhe se prap edhe pas kësaj Kosova do të jetë”sui generis i llojit të vet”, që një komunitet minorutar serb prej 5% (100.000 ) të kontrollojë dhe të jetë autonom në 25% të territorit të Kosovës dhe me 39 njësi eksterritoriale të kishave dhe manastireve gjithandej Kosovës.