Mbase do të vijë vërtetë momenti i bekuar, ku punëtorët nuk do të paguajnë më! Këtë po e dëgjojmë vazhdimisht dhe duket një shpresë e madhe për të gjithë ata që nuk i kuptojnë hiletë e sistemeve politike, qëllimi i vetëm i të cilëve më së shumti është sundimi! Në progres me diagnozën e sistemeve të kalbura, që nuk prodhojnë gjë tjetër vetëm se vetveten, po del në skenë edhe sistemi i ri, ku më në fund, të pasurit do të tregohen kaq zemërgjerë sa do të paguajnë pa pendesë për shtetin dhe punëtorëve do t’iu rilind buzëqeshja në fytyrë. Sikur ta besojmë vërtetë?
Dhe nuk do të ndodhë më që pasuritë të shpërndahen tek baxhanakët dhe hollat e grave, për të ulur artificialisht fitimet, për t’i bërë bishtnojë shtetit! Të nesërmen e Shqipërisë së Rilindur nuk do të ndodhë më një gjë e tillë! Të pasur dhe të varfër do të mblidhen tok së bashku, të parët për të ndihmuar shtetin dhe të dytët, të çliruar nga varfëria do ta duan më shumë se kurrë atë. Kjo s’mund të jetë drejtësi, por barazi po.
Në fakt, ndërhyrja e shtetit për sheshimin disi të hendeqeve do të krijonte jo pak mundësi për fuqizimin e shtresës së mesme të shoqërisë, por të zhveshësh të pasurin për të ndihmuar dembelët, kjo duket një budallakët me brirë, që më së miri Shqipëria në 50 vite e provoi në mënyrën më të dhimbshme. Por, ata do të besojnë, sepse duan vetëm shpresë dhe një heqje e taksave direkte për ta, do të thotë shumë.
Le ta supozojmë sikur një biznesmen që tregton miell do të taksohet shumë më shumë nga shteti. Në këtë situatë, ai më së paku, do ta rriste çmimin e miellit dhe sërish fatura do të bie tek punëtori. Në një rast tjetër, kur shteti do t’i bënte presion për çmimin, ai do të fshihte të ardhurat! Kështu, do të kemi prapë më pak para në xhepin e shtetit. Në rastin e dytë, i bie që jo vetëm punëtori, por edhe shtetit të jetë i varfër!
Ka kohë që taksa e sheshtë e vënë në përdorim nga e djathta funksionon në vendin tonë. Kjo taksë e sheshtë është 10% e pagës që merr. Nëse një punëtor merr 100 mijë lekë të vjetra, ai do të paguaj vetëm 10 mijë lekë, e nëse një tjetër do të marrë 1 milion lekë, ai do të paguajë 100 mijë lekë (së fundi qeveria e hoqi taksën për pagat deri në 300 mijë lekë të vjetra). Edhe kjo është taksë në progres brenda vetes, por që nga ana tjetër, shton shumë më shumë shanset që të pasurit të vijojnë të pasurohet vazhdimisht, ndërsa pagat e ulëta thuajse mbeten po aty. Në këtë rast, shteti si rregullator është i detyruar të ndërhyjë në vijimësi për të rritur nivelin minimal. Dhe këtë e ka bërë së fundi.
Por, a e dini se qindra e mijëra gra në industrinë fason paguhen më pak se sa 200 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa pronari është në rregull me shtetin, pasi paratë i derdh në bankë, por që nga ana tjetër ua merr sërish punëtorëve? Shteti nuk e kontroll dot këtë dhe as në rastin e taksës progresive nuk do të mund ta bëjë. Të djathtët, të dështuar në mbledhjen e të ardhurave, shpesh herë bëjnë lëshime në idetë e tyre, duke shkuar majtas, pasi në fakt, punëtori është një fuqi e madhe vote, shumë më shumë se sa pronarët dhe të pasurit në përgjithësi.
Duke i mashtruar ata me lëshimet që ju bëhen drejtpërdrejt, partitë fitojnë reputacion. Në fakt, e gjithë kjo nuk është krizë sistemi, por krizë morali. Për të djathtët, kjo është edhe më e rëndë. Korrupsioni i tatimeve qëndron në krye të kësaj krize morale, ndërsa fshehja e të ardhurave, paaftësia e institucioneve për të mbledhur taksat, mos funksioniminsi duhet i administratës, etj, e vazhdojnë këtë krizë.