Edhe pse ky sezon nuk ka përfunduar ende, Juventus mendon për projektet për së ardhmes. Bardhezinjtë kërkojnë të bëjnë ndryshime të mëdha pas dështimit në çerekfinalen e Champions League, ku u mundën me rezultatin e përgjithshëm 4-0 nga Bayerni i Mynihut. Presidenti i “Zonjës së vjetër”, Andrea Agnelli duket shumë pranë mbylljes së një marrëveshje marketingu me Samsung, gjigandin koreano jugor që mund të sjellë miliona euro në arkat e skuadrës italiane.
Çdo gjë mbetet ende sekret por Juventusi duket se ka synime të qarta për të ndërtuar një skuadër të madhe. Koreanojugorët janë të gatshëm të investojnë 120 milionë euro nëpërmjet marrëveshjes me kompaninë Sportfive për të vendosur emrin e tyre në stadiumin e Kampionëve të Italisë dhe për të reklamuar emrin e tyre edhe në fanelën bardhezi. Këto para të freskta, Juventusi mund t’I investojë për blerjen e Zlatan Ibrahimovic dhe Marco Verratit. Gjithsesi, nuk ka ende një raport zyrtar për marrëveshjen mes Juventusit dhe Samsungut, por në rast se gjithçka konkretizohet me sukses, kjo mund të jetë një mundësi e artë për Kampionët e Italisë, të cilët duhet të mendojnë për të mbajtur në skuadër edhe disa nga emrat më të lakuar të merkatos si Vidal e Pogba./ss/