Futbollisti më i njohur shqiptar që aktualisht luan te Bayern Munich Xherdan Shaqiri, i cili ka prejardhje nga Kosova është takuar me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila po merrte pjesë në Konferencën e sigurisë në këtë qytet.
Jahjaga e përgëzoi Shaqirin për lojën dhe shpirtin sportiv që po e tregon në fushën e futbollit. Ajo tha se të rinjtë nga Kosova kanë treguar vlerat e tyre kudo në botë, në të gjitha fushat dhe po dëshmojnë gjithë talentin e tyre në të gjitha fushat e jetës.
Në shenjë respekti, Shaqiri i dhuroi Presidentes simbolikisht një fanellë të tij me të cilën paraqitet në ekipin e Bayernit.
Sportisti me prejardhje nga Kosova ne kete takim ishte se bashku me familjarët e tij. Ai e falënderoi Presidenten për pritjen dhe për mbështetjen që po i jep sportit dhe të rinjve në përgjithësi në punën e tyre.