Agim Ibraimi ka qenë protagonisti kryesor në fitoren e mrekullueshme të Maqedonisë, 3:0 përballë Danimarkës në një takim kontrollues të zhvilluar të mërkurën në Shkup. Kombëtarja e Maqedonisë zhvilloi një prej ndeshjeve më të mira në historinë e saj, ndërsa 45 minutat e para ishin storje në vete, me Maqedoninë që ngjanin në Spanjën apo Argjentinën.
Themi në Spanjën, pasi në shënimin e golit të parë në minutën e 9-të, Agim Ibraimi sjell aksion të bukur, duke pasuar në stilin e Iniestas drejt Lazevskit, me këtë të fundit të assiston për Pandevin, ndërsa kapiteni tregon klasin e tij, duke çuar topin në rrjetë të Danimarkës, për epërsi 1:0. Me këtë Pandev me gol i uroi debutimin në kombëtare, portierit danez, Kasper Shmajhell, ndryshe i biri i legjendarit Peter Shmajhell.
Ndërkohë në minutën e 17-të Maqedonia u duk sikur të jetë Argjentinë, pasi në fushë u shfaq një gol ‘alla Messi’. Agim Ibraimi mori topin thellë në pjesën e Maqedonisë dhe u nis si ‘uragan’ drejt pjesës kundërshtare. Sa po fitonte hapsirë shpejtësia e depërtimit të Agimit rritej, ndërsa pasi la pas vetes disa futbollistë danez, sjell një të majtë të fuqishme, vrasëse, që ngulit topin në rrijetë të Shmajhellit, me këtë të fundit që ndoshta do të mund të ‘mburet’ që pranoi këtë gol të bukur. Stadiumi u çua në këmbë, deri sa të gjitha duartrokitjet dhe komplimentet shkonin në adresë të Agim Ibraimit. Futbollisti më i mirë i Maqedonisë për vitin 2012 vazhdon me formën e tij fenomenale, që përveç paraqitjeve të shkëlqyeshme, vazhdon serinë e golave, duke regjistruar mbrëmë golin e 4, në paraqitjen e katërt me rradhë në fanellën e ekipit kombëtar.
Fati i Danimarkës u vendos në minutën e 24, kur harkimi i Triçkovskit nga gjuajtja elirë, u shfrytëzua nga Novevski në zonë, duke çuar topin për të tretën herë në rrjetë të Shmajhellit. Në vazhdim si që mund të pritej pas epërsisë së lartë, tempoja e lojë ra, Maqedonia kontrollonte takimin, ndërsa mbrohej me sukses nga sulmet e Danimarkës. Në fund fitorja me meritë i takoi Maqedonisë, që dha një uvertyrë të shkëlqyeshme para ndeshjeve kualifikuese të muajit mars, kur do të zhvillojnë dy ndeshje me Belgjikën./Alsat-M/