Me para nga buxheti subvencionohen faqe private të internetit, të cilat gjimnazistëve për 300 denarë u ofrojnë hartime dhe ese për tema të ndryshme, të përpunuara prej profesorëve. Ky skandal ka alarmuar Ministrinë e Shoqërisë Informatike, ndërsa  zëvendësministrja Marta Arsovska Tomovska, para vetëm disa ditëve personalisht promovoi internet portalin “gjithçka për gruan”. Pikërisht në këtë portal ishte vendosur një shpallje për hartime nga letërsia për arsimin e mesëm.
Për të blerë një hartim ose ese të tillë, porosinë duhet ta bëni në internet. Së pari do të duhet të regjistroheni në sajtin, e më pas të paguani me kartelë. Pasi ta keni blerë, në shpallje shkruan se profesorët e tyre do ta kontaktojnë porositësin. Menjëherë pas paraqitjes së televizionit Alsat në Ministri për të pyetur se pse subvencionohen internet portale me përmbajtje që mund të bien ndesh me Ligjin për mbrojtje të të drejtave autoriale dhe të dëmshme për arsimin e të rinjve, shpallja është tërhequr. Ministria ka reaguar deri te pronarët e faqes.
Siç njoftuan, ata janë arsyetuar se bëhet fjalë për gabim, gjegjësisht se nuk kanë menduar në shitjen e hartimeve dhe eseve, por kanë ofruar mësimdhënie për përpilimin e tyre. Megjithatë, është e paqartë se pse atëherë pronarët e sajtit, ofrojnë shitje të eseve për letërsi, ndërsa për lëndët tjera – matematikë dhe fizikë ofrojnë mësimdhënie. Se a ka kontroll shteti se çfarë paguan me paratë e qytetarëve?
Nga Ministria e Arsimit në deklaratën për Alsat-in sot u bënë thirrje të rinjve që të mos blejnë ese të këtilla të gatshme, por t’i përpilojnë vetë. Ndryshe me shitjen e tyre nuk shkelet asnjë ligj i cili në vend e rregullon sferën arsimore, por blerja e tyre nuk është morale dhe etike. Me projektin që e udhëheqë Ministria për Shoqëri Informatike subvencionohen 31 internet portale të këtilla që në fakt duhet të jenë shitore elektronike. Pas këtij rasti që  zbuloi Alsat, tani Ministria paralajmëroi kontrolle më rigoroze të përmbajtjeve që i publikojnë internet portalet të cilat për këtë fitojnë para nga Buxheti.