Persona të panjohur kanë dëmtuar muzeun e Alfabetit në Manastir. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 03.30 minuta, ndërsa rastin e kanë konfirmuar për Portalb, edhe drejtori i Muzeut të Alfabetit në Manastir, Gazmend Hoxhaj dhe SPB i Manastirit.
Drejtori Hoxhaj, thekson se ai ka shkuar në muze rreth orës 04. 00 së bashku me ekipin e policisë dhe kanë konstatuar se dera e hyrjes ka qenë e thyer dhe xhamat gjithashtu.
“Vitrinat ku ishte ekspozita ishin të dëmtuara dhe të thyera. Dokumentet ishin nëpër dysheme. Nuk kemi informata se kush mund të jetë kryes i kësaj vepre, por cilidoqoftë ai, rasti duhet të zbardhet dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”, thotë drejtori Hoxhaj.
Ai konfirmon se kjo është hera e katërt që po dëmtohet Muzeu i Alfabetit në Manastir, por kjo është hera e parë që ai dëmtohet brenda dhe vihet dorë mbi dokumentet e tij.
Hoxhaj, deklaroi për Portalb, se dokumentet e ekspozuara, mbi të cilat është vënë dorë nga vandalët, nuk janë origjinale, sepse origjinalet ruhen në formë elektronike, ndërkohë që vlerëson se dëmi i shkaktuar është më i madh në aspektin shpirtëror, se material.
Kështu, sipas tij, sipas vlerësimeve të para dëmi kap vlerën e rreth 800 eurove, ndërsa për vlerësimin e tij është ngritur një komision i veçantë.
“Sot është ditë feste për qytetarët e Maqedonisë, dhe ndoshta do të duhej të marrim një mesazh me këtë”, thotë Gazmend Hoxhaj, drejtor i Muzeut të Alfabetit në Manastir.
Ndërkaq, lajmin për Portalb e konfirmoi edhe zëdhënësi i SPB të Manastirit Borçe Pesheski, i cili tha se pas marrjes së lajmit ekipi i policisë të këtij sekretariati ka dalë në vendngjarje dhe ka konstatuar thyerjen e xhamave të Shtëpisë së Alfabetit shqip në Manastir. Ai tha se policia po ndërmarr të gjitha masat që kryesit e panjohur të kësaj vepre të zbulohen dhe ngjarja të zbardhet në tërësi. /Portalb
 



 
Shtëpia e Alfabetit cak i vandalëve