Shqipëria nuk solidarizohet me Kosovën për në Samitin e procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që mbahet më 1 qershor në Ohër.
Kështu kanë shkruar sot mediat në Kosovë, duke theksuar se autoritetet e Tiranës nuk kanë përfillur injorimin që Maqedonia i bëri Kosovën duke mos e ftuar në Samitin e Ohrit.
“Injorimi që Maqedonia i bëri Kosovës duke mos e ftuar presidenten Atifete Jahjaga në Samitin për bashkëpunim në Evropën Juglindore, i cili mbahet në nivel të presidentëve më 31 maj dhe 1 qershor në Ohër, ka ngjallur reagime në Kosovë, por jo edhe në Shqipëri. Derisa krerët e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës i kanë bërë të ditur kreut të Maqedonisë se nuk marrin pjesë në Samit nëse aty është edhe presidentja e Kosovës, shteti shqiptar nuk ka reaguar deri tani zyrtarisht. Përkundrazi, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit”, shkruajnë mediat kosovare.
Irma Toptani, zëdhënëse e Presidentit Nishani, ka konfirmuar për gazetën “Tribuna” se deri të hënën pasdite nuk ka pasur ndonjë vendim për bojkotimin e Samitit të Ohrit nga presidenti shqiptar. “Po do të marrë pjesë. Nëse kemi ndonjë reagim tjetër, ndërkohë atë e komunikojmë”, ka thënë shkurt Toptani. Reagime për injorimin e Kosovës në Samitin e Ohrit kanë vijuar që nga java e kaluar nga mediat shqiptare në Maqedoni. (INA)