Mjafton t’u hedhësh një sy videove dhe fotove që qarkullojnë në internet për të kuptuar se sa i rrezikshëm është shkrimi i mesazheve apo cdo aktivitet tjetër në telefon gjatë kohës që je në ecje.
Teknologjia moderne po krijon gjithnjë e më shumë atë që shumë studiues po e quajnë “shoqërinë zombi”, njerëz, kalimtarë që ecin me kokë ulur. Një fakt të tillë dokumentoi edhe një ekspozitë e një fotografi finlandez. Ai fotografoi njerëz me telefona në duar në rrugë, aeroporte, stacione autobusi, stacione treni, parqe, stadiume…që të gjithë me kokën poshtë, të përqendruar tek telefoni i tyre. Teknologjia po i ul kokën shoqërisë.
Fenomeni ka efekte të tjera, shumë më të rrezikshme. Shpërqendrimi me telefon gjatë kohës në ecje u ka marrë jetën dhjetra personave. Në Shtetet e Bashkuara, mbi 1 mijë aksidente të tilla u regjistruan në vitin 2008, ndërsa në vazhdim shifrat janë rritur.
Për të minimizuar sadopak rrezikshmërin e mesazhimit gjatë ecjes mbërrin “CrashAlert”, një aplikacion i hedhur së fundmi në treg. Ky aplikacion shfrytëzon kamerën e aparatit telefonik duke e përdorur atë si “sy për kalimtarin” që bën vlerësimin se kur distanca me një tjetër objekt është e rrezikshme dhe lëshon alarmi.
Ideatorët e kësaj risie shpresojnë që të reduktojnë aksidentet, nga ato më qesharaket, e deri tek ato me rrezikshmëri të lartë për përdoruesit e telefonave,transmeton TCh.