Sot  e 135 vjet më parë filloi aktivitetin e saj organizata politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Aktivitetin e vet ajo zyrtarisht e filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.
Prof. Dr Nebi Dervishi, thekson se kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, e cila  u përgatit që në vitet 30 të shekullit XIX dhe kulmoi me tubimin e 10 qershorit të vitit 1878.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit themeloi degët e saj në të gjitha hapësirat shqiptare, ndërkohë që dy organet e saj më të larta ishin Këshilli i Përgjithshëm që ishte organ Ligjvënës dhe Këshilli Qendror që kishte pushtet ekzekutiv”, thotë  Dr Dervishi.
Ai më tej shton se qëllimi i krijimit të kësaj organizate politike dhe ushtarake ishte mbrojtja e trojeve shqiptare nga vendimet e Traktatit të Berlinit, i cili kishte vendosur në dëm të kombit shqiptar dhe në dobi të Monarkisë së Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi.
Në këtë, kontekst Dr. Nebi Dervishi thekson faktin që dy nga komitetet lokale më të zëshme e më radikale ishin ato të Shkupit dhe të Ohrit, që përfaqësoheshin nga Mehmet Rushiti dhe shton se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, e cila mori përsipër bashkimin e popullit shqiptar, për të penguar copëtimin e trojeve të veta.