Pjesa më e madhe e Maqedonisë prej sot është kapluar nga temperatura që paraqesin fazën e verdhë të së nxehtit, temperaturat e ngrohta tropikale sipas meteorologëve do të jenë edhe gjatë gjithë javës në vijim.
Ndryshimi i motit nga ai me lagështi që mbajti deri të premten në mot shumë të ngrohtë me diell që po mban tani, ka bërë shumë pacientë të frekuentojnë nëpër ambulancat e vendit.
Mjeku i përgjithshëm Sedat Lumani, rekomandon të mos dilet pa nevojë nga shtëpia.
‘Ndryshimi drastik i motit sigurisht se ndikon keq në shëndetin e njeriut. Ne deri të premten kishim brenda ditës ndryshim temperaturash prej 20 deri më 30 gradë, kurse tani menjëherë u ngjitën në rreth 35 gradë. Sigurisht se kjo ndikon negativisht në shëndetin e njeriut. Rekomandohet që sidomos personat e sëmurë kronik, të marrin terapinë me rregull, të konsultojnë mjekun, të mos dalin pa nevojë nga periudha kohore prej orës 11 deri më orën 15 kur rrezet e diellit janë shumë të fuqishme, dhe të konsumohen shumë lëngje’ tha Lumani.
Ekspertët gjithashtu rekomandojnë qytetarët që t’i respektojnë këshillat e përgjithshme për t’u mbrojtur nga ekspozimi direkt në diell, siç është shmangia nga ndeja në vende të hapura, veshja e teshave të lehta dhe të ndritshme, konsumim i ushqimit të lehtë dhe pijeve, higjienë në duar dhe mënyrat tjera higjienike për përgatitje të ushqimit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike të marrin e terapi të rregullta./Portalb