Disa qytetarë shqiptarë të Tetovës kanë alarmuar se zyrat e gjendjes civile në Tetovë kanë shpërndarë certifikata të kurorëzimeve vetëm në gjuhën maqedonase dhe jo edhe në gjuhën shqipe.
Shqetësimi është bërë nga disa qytetarë të kësaj komune, të cilët kanë informuar se kanë parashtruar kërkesat në shqip për certifikatë kurorëzimi.
“Më datë 1 Shkurt 2013 parashtrova kërkesë në gjuhën shqipe për një certifikatë kurorëzimi, certifikatë që unë e marr çdo vit pranë zyrave të gjendjes civile në Tetovë dhe që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë (kështu më thanë punonjësit e asaj zyre). Ditën e premte nuk kishin mundësi të ma jepnin këtë certifikatë me arsyetimin se janë shumë të ngarkuar me punë dhe sipas logjikës njerëzore e lamë që të hënën më 4 Shkurt të marr certifikatën. Të hënë më japin certifikatën vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kërkoj përse nuk është në gjuhën shqipe, punonjësit e tuaj më thonë se nuk ke bërë kërkesë që duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe. Por unë si shtetas i Shqipërisë dhe që nuk kam njohje fare të gjuhës maqedonase u them se ajo është mbushur vetëm në gjuhën shqipe dhe është logjike që certifikata të duhet të jetë në dy gjuhë në bazë të Kushtetutës së RM. (Gjatë pranimit të kërkesës punonjësit më pyetën tre herë se për ku e dua certifikatën dhe u them për në Tiranë, pra në dy gjuhë e dua). Punonjësit ngulmojnë se me gënjeshtra se nuk jepen certifikata të martesës në gjuhën shqipe, atëherë unë i nxjerr certifikatën e vitit 2011 në gjuhën shqipe”, thekson Arben Llalla, historiani që jeton në Tetovë dhe që është përballur me këtë problematikë.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të korrigjojë këto veprime dhe të ndërmarrë masa që të lëshohen certifikata edhe në gjuhën shqipe.
“Ju vazhdoni të talleni edhe përse janë aprovuar ligje me gjuhën e shqipe bashkë me punonjësit tuaj gënjeshtar dhe analfabet. Unë po të shkruaj shqip e shkurt, pa prapavija politike, pa ndonjë luftë personale, por dua që gjuha ime amtare si shtetas i Republikës së Shqipërisë të respektohet në bazë të marrëveshjeve reciproke”, ka shkruar historiani Llalla. (INA)